TABLO TË NJË REVOLUCIONI

Përktheu: Arben Idrizi

 

E tëra zhvillohet në një stadium të rrethuar me mure të larta. Në fund të skenës, në qendër, një portë e fushës së futbollit e shndërruar në banesë.

 

Personazhet:

892, shefi

584, më i vjetri

137, më i riu

Gruaja

 

Pamja e parë: Patrulla e natës

 

584      Një antenë!

892      E vodhe një antenë!

137      Nuk e vodha! Nuk vodha! E mora!

584      Nga ku?

137      Nga një ballkon.

892      Hyre në një shtëpi…

584      Dole në ballkon…

892      Dhe e… more një antenë?

137      Pak a shumë.

584      Dhe nuk ishte askush aty?

137      Ku?

892      Në shtëpi?

137      Po, ishin të gjithë në tavolinë.

584      Po hanin?

137      Të gjithë tok? Jo bre! Po shikonin televizorin.

892      Dhe ti hyre…

137      Po, thashë “mirëmbrëma, më duhet të shkoj në ballkon.”

584      E ata?

137      Hiç.

892      Hiç?

137      Jo, nuk e hapën gojën fare. Dukeshin të trembur.

584      Sa ishin?

137      Babai, nëna dhe tre fëmijët.

892      Përreth një tavoline?

137      Po.

584      Një familje e tërë?

137      Ishte edhe dikush tjetër, aty diku, ndoshta në krevat, ose i sëmurë.

892      E ku e di ti?

137      Po shikonte televizor edhe ai; mandej, kur e nduka antenën, nisi të bërtiste.

584      E vodhe një antenë!

137      Nuk e vodha, bre! Nuk e vodha! Sa herë duhet të ta them! Vetëm e mora. Unë…                     nuk kam pasur antenë kurrë, e merr vesh ti?

892      Nuk kishit televizor?

137      Po!

584      Po si e shikonit?

137      Im atë e kishte lidhur televizorin tonë me antenën e fqinjëve. Kurrë s’i patën rënë              në të.

892      Ah, domethënë e paskeni ves në familje!

137      Çka?

584      Babi yt, edhe ai kishte vjedhur…

137      Marrë! Babai im kishte marrë pakëz sinjal. Ishim të skamur. Nuk kishim as edhe                 një kafshatë buke për të ngrënë. Ja pra!

892      Mirë de, sidoqoftë, nuk na duhet asnjë antenë.

137      Jo?

584      Jo. Nuk do të kemi televizor.

137      Ah, jo a?

892      Bile as radio.

137      As radio?

584      Nuk na duhen, as televizori as radioja!

137      Nuk na duhen?

892      Jo!

137      Mira, po e kthejmë.

892      Ti nuk do të shkosh askund!

584      Do të të arrestonin!

137      Për një antenë?

892      Ti e di si qëndrojnë punët tash.

584      I arrestojnë të gjithë, për hiçgjë.

137      Ç’të bëj?

892      Me antenën?

137      Po, ç’të bëj me të?

892      Nuk e di. Punë për ty.

137      Do të mund të bëja… po, një nga ato gjërat për ta pjekur mishin. E thyej, i lidh                       copat e hekurit njërën me tjetrën dhe e bëj një… si quhet?

584      Skarë.

137      E pra, e bëj një skarë. Mendojeni pak sa mishin mund ta pjekim dhe hamë!

892      Po ku e gjen mishin? E merr edhe atë?